Teqeja Harabati Baba

Teqeja Harabati Baba – Teqeja më e madhë në Ballkanin Perëndimor

Autor: Shkëputur nga LIBRI “TEQEJA HARABATI E TETOVËS DHE ROLI I SAJ HISTORIK E KULTUROR NË TË KALUARËN” – PROF.DR.ALI VISHKO

Nga gjysma e parë e shekullit XVI Sersem Ali Dedes(për të cilin do ketë një postim apostafa për të sqaruar me detajisht se kush ishte ai) njëherës edhe vëllai i Mahidevran Sultan(gruas së parë të Sultan të madhërishmit Sulejman I) i paraqitet mision i perhapjes së besimit islam bektashian dhe në vise të tjera të Siujdhesës Ballkanike dhe, për ketë mision ai zgjedh trevën e Pollogut, për shkak të shumë përparsive që kishte ky vend, me qëllim që prej këtu këtë doktrinë fetare pastaj ta perhapte edhe në viset perëndimore të siujdhesës në fjalë, në meset shqiptare, boshnjake e të tjera. Për këtë, Sersem Ali Dede, për përhapjen e doktrinës bektashiane në këto anë të Siujdhesës Ballkanike e zgjodhi Tetovën, me ç'rast në periferi të këtij qyteti në vitin 1538 filloi ndërtimin e Teqes Harabati, seli më e njohur e shenjtë e besimit islam bektashian për Ballkanin Perëndimor. Punimet për teqenë vazhduan deri në vitin 1548; kjo seli më vonë e more emrin Teqeja Harabati.

Kjo godinë, ky tempull ose faltore, siç quhet këtu dhe përpara, me kalimin e kohes do të emërohet me emrin teqeja Harabati, që do të thotë Godinë shenjtërie ose Tempull.

Me formimin e Pashallëkut të Tetovës dhe me ardhjen në këtë pashallëk në postin e pashait Koxha Rexhep Pasha më vonë dhe të biri të tij Abdurrahman Pasha me angazhimin e tyre si dhe të titullarëve të postit bektashian e udhërrëfyes të kësaj teqeje, filloi rimëkëmbja e ngritja e Teqes Harabati. Interesimi i madh, angazhimi i gjithanshëm i zyrtarëve të lartë, të klerikëve e personave të tjerë mirëbërës, mundësoi që krahas me rimëkëmbjen e kësaj teqeje, aty të lulëzojnë veprimtari të ndryshme, krijimtari në shumë sfera, ku në të njetën kohë bëhet dhe zgjerimi i kompleksit të Teqes Harabati.

Pashallarët e përmendur të Pashallëkut të Tetovës pas themelimit të këtij pashallëku i ndihmuan Teqes Harabati që të rimëkëmbet, të ngrehet e të pasurohet me prona të shumta vakëfesh, me qëllim që kjo teqe, përveç nevojave fetare, të shërbente edhe si seli e njohur e kultit bektashian – Gjyshatë Bektashiane, si dhe shërbente edhe si qendër reprezentative, që do të përfaqësonte këtë pashallëk përpos në lëmin fetare, kulturore, arsimore etj., në të njëjtën kohë do të shërbente dhe për rrumbullakimin e instutucioneve kulturore kombëtare shqiptare të autonomisë në Pashallëkun e Tetovës, pasi ky pashallëk, sikurse dhe disa pashallëqe të tjera shqiptare të kohës gëzonin një lloj autonomie, sepse në atë kohë dhe vetë Perandoria Osmane ishte e decentralizuar.

Sa dihet, me emërimin e Baba Mehmet Mallatjasit(Nga Mallatja e Anadollisë) për halife(udhërrefyes) në këtë teqe, të cilën gjë e bëri Krygjyshata Bektashiane në Haxhi Bektash të Anadollisë, në bazë të kërkesës së Koxha Rexhep Pashës, në këtë teqe fillon periudha e dytë në veprimtarinë e saj. Me ardhjen e Baba Mehmet Mallatjasit për halife në këtë teqe në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, ky – Baba Mehmeti i Mallatjes së Anadolisë, mori dhe mbiemër të ri – Harabati dhe u quajt Baba Mehmet Harabati, nga u quajt edhe kjo faltore Teqeja Harabati.

Objektet e kompleksit në fjalë u ngriten në gjendjen e sotme në një periudhë që përfshinte gjysmën e dytë të shekullit XVIII dhe dekadat e para të shekullit XIX, kur dhe mirëbërësit e përmendur – Koxha Rexhep Pasha dhe Abdurrahman Pasha administronin me Pashallëkun e Tetvoës. Nga objektet e kompleksit të Teqes Harabati, ndër ato që kanë mbetur deri në ditët tona janë:

1. Pjesë nga faltorja kryesore e kompleksit të Teqes Harabati- Kubbeli Mejdani, e quajtur ndryshe dhe Ibadethane me dy mbishkrimet të njëjta – njëri mbi portën e hyrjes në Paradhomë dhe tjetri mbi një portë tjetër brenda në Paradhomë, prej nga kalohej në Ibadethane ose Kubbeli Mejdan. Faltorja kryesore – Ibadethane, në literaturën bektashiane e quajtur Kubbeli Mejdani, nuk ishte vetëm vend i namazit e i nijazit, respektivisht i faljeve e i lutjeve, por aty bëheshin edhe meditime reth doktrinës bektashiane.

2. Shtëpia ose Konaku Veror i quajtur ndryshe dhe Jazevi, ishte vend ose ndeje për klerikët bektashinj, për etërit ose baballarët e Teqes.

3. Selamllëku ose Haremi i pritjes së gostive ishte konaku kryesor për pritjen e gostive e për bujtjen e tyre, që ishte një lloj Imaretti, i cili ndodhet te Porta e Madhe lindore e kompleksit të Teqes, i cili më vonë u kthye në Hotel nga Kompania Teteks Tetovë.

4. Qoshku veror, i mbuluar me kulm dhe nga të gjitha anët i hapur, i ndërtuar prej druri dhe i stolisur me lloj-lloj ornamente, ndërsa tavani është pajisur me mbishkrime hadisore. Këtu verës klerikët e Teqes kalonin kohën ditën, duke lexuar e medituar rreth çështjeve doktrinore bektashiane. Brenda objektit në fjalë është Shadërvani i Teqes, i ndërtuar nga ana e bijës së Koxha Rexhep Pashës – Fatimes, si shenjë përshpëritjeje dhe mirënjohjeje e nderimi kur i ati i saj – i permenduri Koxha Rexhep Pasha ndërroi jetë; shadërvanin ajo e ndërtoi që të shërbejë dhe për nevojat e abdesit e të tjera, që lidhen me rritet islame bektashiane.

5. Shtëpia dimërore e quajtur ndryshe dhe Kish evi, ishte si një kompleks i vogel objektesh, ku përveç objektit për ndeje dhe bujtje të personelit të Teqes – dervishëve, ka dhe objekte të tjera siç janë:

*faltorja e vogël për kryerjen e predikimeve rastësisht dimrit, e cila gjindet brenda në Shëpinë dimërore.

*mauzoleu, që është një godinë e mbuluar varreze me varret e udhërrëfyesve të Teqes Harabati, të varrit të Koxha Rexhep Pashës, bijës së këtij pashai – Fatimes, e cila ndërroi jetë si dervish mixharet(e pamartuar); një vend varri të zbrazët e lënë që herët për sjelljen dhe rivarrosjen e eshtrave të themeluesit të Teqes Harabati – Sersem Ali Dedes këtu në Tetovë.

*kuzhina e vogel e Teqes, me një strehë çardaku veror në vazhdim të kuzhinës.

*Kabri i Baba Mehmet Harabatit që ndodhet nën strehën lindore të Shtëpisë dimërore, rrethuar me shufra hekuri.

6. Konaku ose Selamllëku (Haremi) i grave, që shërbente për pritjen dhe fjetjen e femrave që vinin në vizitë e gosti në këtë teqe; ky konak gjindet nga pjesa veriore e kompleksit të Teqes Harabati.

7. Objekti ose Shtëpia e punëtorëve mëditës, të cilët punonin në pronat vakëfore në sezonat e pranverës, verës dhe dimrit.

8. Restorani i Teqes, i quajtur ndryshe Ash evi, i cili shërbente si kuzhinë për personelin e Teqes dhe për njerëz të tjerë që vinin për vizitë në Teqe, myhibanë bektashianë, kalimtarë të rastit që udhëtonin për në Lindje dhe në të kuindërtën, gjë që bënte të jetë për Teqen dhe në funksionin e Imaretit.

9. Furra e Teqes Harabati, e cila gjendet në një objekt me Restoranin bashkë, shërbente për pjekjen e bukës dhe gjësendeve të tjera për ushqimin e personelit të Teqes dhe gostive që vinin në këtë teqe.

10. Çezma e madhe, e cila është ndërtuar apostafat për vizitorët që të pinë ujë, me përkushtim Imam Hyseinin;njërit nga adhuruesit e myslimanëve bektashinj; objekti ka në pjesën e sipërme një mbishkrim.

11. Kulla e rojeve e Teqes Harabati që gjendet mbi Portën lindore të kompleksit të Teqes Harabati, e cila u shërbente rojtarëve në këtë teqe që ta ruajnë kompleksin e kësaj faltoreje natën nga kusarët dhe nga keqbërësit tjerë.

Në katër anët e këtij kompleksi të objekteve gjendej nga një derë, nga të cilat tri ishin të hekurta dhe me dimensione të mëdha, kurse e katërta që ndodhej në anën perëndimore të kompleksit të Teqes, e cila shërbente për dalje nga pyjet, ishte më e vogël. Porta kryesore e hyrjes ishte ajo veriore e quajtur Tekke Kapisi, pastaj vinte ajo lindore – Harman Kapisi ose Porta e Lëmenjve, prej nga hynin në Teqe drithrat e të lashta të tjera, kurse nga jugu ishte Porta e kopshitit e quajtur Bahçe Kapisi, prej nga dileshte në kopshtat e Teqes Harabati.

Si kurorë e veprimtarisë fetare, filozofike, letrare, intelektuale e krijuesve dhe të tjerëve që jetuan, vepruan, dhe krijuan në Teqen Harabati, mes tjerash janë edhe shkrimet që ata kanë lënë të kaligrafuara nëpër mure dhe të gdhendura nëpër gurët e stelave, të mureve, të çezmave, në dru te hyrja në tavanin e qoshkut veror të Teqes e të tjera, të cilat janë shënime briliante me përmbajtje religjioze, filozofike, historike, letrare, didaktike, moralizuese e të tjera. Me këtë rast në këtë studim po japim një pjesë nga këto shënime mbishkrimesh, ku përveç origjinalitetit që janë të fotografuar në gjuhën osmanishte, arabishte dhe persishte me shkrimin arab, i kemi transkribuar dhe i kemi shënuar edhe me germa latine të turqishtes së sotme, si dhe i kemi përkthyer në gjuhën shqipe.

Këto shënime të skalitura me përkthim si dhe objektet e Teqesë Harabati Baba mund ti gjeni në fotografitë e mëposhtme.

Mbishkrimi mbi portat e Paradhomës dhe të sallës së Ibadet'hanes(ne këtu do ta japim vetëm verzionin me përkthim në shqip) përkthyer nga Prof.Dr.Ali Vishko:

"O njeri! Nëse synon për njohuritë e të shenjtërve, Mos u largo (por) afrohu i përpiktë pranë të vertetës, Hape veshin e shpritit (dhe) dëgjo se ç'thonë njerëzit e përsosur, Pranuar qoftë predikimi yt Sulltanit të Botës, Dije si të lumtur këtë çast o ti që synon kah hiri, Koha kalon, fati kthen, të sotmen mos e le për nesër, (Ai) që i falë prona (dhe) shpenzon për qëllimet e Kultit, Arinë te kujdesimi dhe urata e Perëndisë, Zotëruesin mirëbërës Rexhep Pashës këndo një lutje (që) Kurrfarë fatkeqësie mos ta gjejë (me) jetën dhe kohën(e tij), o ti! Këtë qendër që e viziton, shiko mbishkrimin e datuar, Lotin e papastër të zemrës fshije në sheshin e të shenjtërve."

Viti 1200 h. (vj. 1785).

Mbishkrim i skalitur mbi Çezmën e madhe(ne këtu do ta japim vetëm verzionin me përkthim në shqip) përkthyer nga Prof.Dr.Ali Vishko:

"Lavdi Zotit u bë kjo çezmë parajse e përsosur, Zotëruesin mirëbërës Rexhep Pashën mos ta gjejë fatkeqësi, O ti që vjen të pijsh prej këtij uji të kaluarën (e tij) kujto, Për hir të Imam Hyseinit të pihet (ky) ujë i bekuar."
Viti 1205 h.(vj. 1790-1791)

Epitaf i Kabrit (Varrit) të Harabati Babës nën strehën e Shtëpisë dimërore(ne këtu do ta japim vetëm verzionin me përkthim në shqip) përkthyer nga Prof.Dr. Ali Vishko:

"Të ndjerit, të falurit, të bekuarit, martirit, Harabati Babës Shpirtit /Intelektit/ Lutje përshpëritjeje (të këndohet)."