POETI TETOVAR REMZI

Autor: prof.dr.Metin Izeti

Në periudhën osmane ka vepruar një numër i madh i poetëve shqiptarë të cilët kanë shkruar poezitë e tyre në turqishten e vjetër. Pjesa dërmuese e tyre ka lënë gjurmë të konsiderueshme edhe në letërsinë e shkruar në periudhën osmane. Për fat të keq, shumica e tyre, si rrjedhojë e konceptit armiqësor ndaj çdo gjëje që kishte karakteristikë osmane nga pushteti komunist në trojet shqiptare, kanë mbetur të panjohur për nënqiellin dhe letërsinë shqiptare. Mendoj se është padrejtësi ndaj veprimtarëve shqiptarë të kësaj periudhe që veprat e tyre, krahas asaj që nuk kanë qenë në gjuhën shqipe, të mbeten të fshehura dhe të panjohura për auditorin shqiptar. Unë këtu do të jap disa informata të shkurtëra për poetin shqiptar të shekullit të 19 që e ka përdorur emrin poetik Remzi.

Emri i Remziut nuk përmendet në përmbledhjet biografike të poetëve të periudhës osmane, ndërsa për vendlindjen, kohën kur ka jetuar dhe prejardhjen e tij, informohemi nga kronogramet në vargje që i ka shkruar për personat dhe monumentet e kohës kur ka jetuar. Në përmbledhjen e poezive (Divan) të Remziut ka 19 kompozime kronogramike që e tregojnë qartë se ai ka jetuar në shekullin e 19. Në dyvargëshin kronogramik që e ka shkruar në lidhje me restaurimin e kubesë në Mejdanin (objektin e ritualeve të tarikatit bektashi) në Teqenë Harabati Baba në Tetovë nga ana e Rexhep Pashait, sipas llogaritjes numerike të shkronjave (ebxhed) del viti 1225/1810-11 që e tregon qartë se ai në këtë periudhë ka qenë një poet i pjekur i cili ka arritur pjekurinë për të shkruar vargje kronogramike. Në përkthim të lirë në këtë dyvargësh kushtuar Rexhep Pashës ai thotë:

“Shërbëtor jam, në halle nga ashku ky Remzi e shkroi këtë datë

Ai që ndërtoi këtë vakëf, të mos ketë dert e mundime O Zot i madh”.

Në një dyvargësh tjetër kronogramik, Remziu, e tregon qartë se ka qenë një nga dervishët e Teqesë së Sersem Ali Babait (Harabati Baba) në Tetovë:

“ Ky Remzi jam dervish me derte plot dhe shkrova këtë datë

I gëzuar që sërish u rindërtua teqeja e Sersem Ali Baba’së”.

Llogaritja numerike e shkronjave të këtij dyvargëshi është viti 1231/1815-16) dhe e tregon qartë se ai së bashku me dervishët tjerë të kësaj teqeje janë gëzuar për rihapjen për ibadet të teqesë Harabati Baba në Tetovë. Kjo periudhë edhe historikisht përkon me restaurimin e teqesë nga ana e Rexhep dhe Abdurrahman Pashait.

Gjithashtu një kompozicion kronogramik në vargje, poeti Remzi, e ka shkruar edhe në lidhje me restaurimin e Xhamisë së Larme nga ana e Abdurrahman Pashait. Ai në poezinë që e ka titulluar: Historia e Xhamisë së Abdurrahman Pashait, thotë:

“Pak është edhe një mijë vjet “Mashallah” t’i thuhet kësaj zemre(xhamisë)

Çdo i mençur me mirësi e përmend emrin e ndërtuesit të saj

Më parë ishte një xhami e vogël mëhalle

Ishte rrënuar nga koha dhe kishte mbet pas dore

Kësaj here emrin e Abdurrahman Pashait përmende

E gjallëroi sërish ate, harxhoi pasuri të madhe.”

Remziu ka shkruar edhe një kompozicion kronogramik në vargje edhe në lidhje me Urën e Abdurrahman Pashës. Më drejtë bëhet fjalë për urën që e ka lidhur pjesën e Hamamit të Tetovës me Shtëpinë e Beut dhe Xhaminë e Larme, që sot nuk ekziston. Në poezinë e tij Remziu e thekson se Tetova (Kalkandelen) është e vendosur në rrëzën e malit Sharr dhe lumi Shkumbin e ndanë atë në dy pjesë dhe kjo urë i bashkon dy anët e qytetit, thotë ai.

Në bazë të kompozicioneve kronogramike është shumë e qartë se Remziu ka jetuar në fillim të shekullit të 19 në Tetovë dhe aty e ka kaluar jetën. Ai në një dyvargësh flet edhe për fisin e tij, i cili është thirrur Sudë, dhe ka qenë pjesëtarë i tarikatit Bektashi në Tetovë.

Remziu, gjithashtu, ka edhe një poezi dymbëdhjetë strofëshe që ua kushton dymbëdhjetë imamëve, pra bijëve të Pejgamberit a.s..Kjo poezi është titulluar “ Munaxhat Med’h-i Duvazde Imam (Përgjërim dhe lavdërim i dymbëdhjetë imamëve). Remziu ka shkruar edhe një elegji (mersije) në lidhje me rënien dëshmorë të Hazreti Huseinit në fushën e Qerbelasë. Kjo elegji e tij është kënduar në ditët e muajit Muharrem në teqenë Harabati në Tetovë.

Remziu siç e thekson në poezitë e tij, ka shkruar poezinë për të shprehur ndjenjat e dashurisë ndaj Zotit dhe si rrjedhojë e frymëzimit nga ithtarët e të vërtetës (ehli hakikat). Gjithashtu në disa vargje e ka theksuar se poezia është forma më e mirë nëpërmjet të cilës ka mundësi të futet në kallëpe ndjenja dhe emocionimi shpirtnor dhe dashuria ndaj Zotit. Ai thotë:

“Pena e poetit i derdh perlat e dalura nga nishani faqes së të Dashurit

Ai e lavdëron, më zëra të ndryshëm, vetëm faqen e të Dashurit”.

Në vargjet e shkruara në turqishten e vjetër, nga Remziu, shpeshherë haset në gabime gjuhësore që e tregon qartë se ai ishte shqiptarë.

Divani (Përmbledhja me Poezi) në dorëshkrim i Remziut, që gjindet në Bibliotekën Kombëtare në Shkup, si çdo vepër e kësaj periudhe, fillon me “Bismil-lah” dhe më pas vazhdon me një poezi lavdëruese për Pejgamberin a.s.. ( Na’t-i Sherif-i Server-i Kainat Mefhar-i Mevxhudat Muhammed Mustafa). Divani i Remziut ka 30 kaside, 302 gazele, 4 katërvargëshe, 14 pesëvargëshe, 17 gjashtëvargëshe, 1 dhjetëvargësh dhe në total ka 309 poezi. Të gjitha poezitë janë të rimuara. Poeti Remzi, sipas fjalëve të tij, nuk pretendon të jetë një “poet i mirë” . Përkundrazi, ai është një dervish i sinqertë që e vuri penën e tij në dispozicion të mendimit të fesë. Pavarësisht kësaj, ai është një poet që njeh traditën dhe herë-herë e shpreh zotësinë e tij në estetikën e letërsisë klasike. Poezia dhe gjuha e tij i ngërthen veçoritë lokale, ai hedh dritë mbi periudhën dhe rajonin ku ka jetuar, veçanërisht me poezitë e tij historike të shkruara në stilin e lëvdatave. Përkushtimet e shkruara ndaj poezive të poetëve të kohës së vet të lënë përshtypjen se ai lexonte poetët e shquar dhe se ishte në kontakt me disa poetë të periudhës së tij si Kenziu, Hulusi, Handiu e të tjerë.