Xhamia Fevri

Xhamia Fevri

Xhamia Fevri ka qenë një ndër 10 xhamitë në Tetovë, që janë përmendur qysh në shekullin e 19-të. Ajo ka marrë emrin Fevri (e vrullshme - përkthim i përshtatur), ngase është ndërtuar shpejt e shpejt. Lokacionin e ka pasur në veriperëndim të Xhamisë së Sahatit, nja 200 metra larg, ku një kohë ka qenë Biblioteka e qytetit, ndërsa tash aty është një furrë buke. Disa autorë serbë, sikur që ishte Haxhi Vasileviq, kanë thënë se në atë vend ka qenë një kishë dhe me ardhjen e Osmanëve, aty është ndërtuar xhamia (1938-Haxhi Vasileviq: 37).

Sipas tij, kjo xhami ka përcaktuar kufirin (me ligj të pa shkruar v.j.) deri ku ka mund të shtrihet vendbanimi me të krishterë, që asokohe ishte strukur rrëzë kodrës të Balltepesë, në perëndim, ndërsa në lindje, në pjesën e rrafshit, jetonin myslimanët. Kjo ndarje ka funksionuar deri në vitin 1839, kur është shpallur një Hatisherif që i ka rregulluar këto punë (1982-Tetovo: 223).

Kjo xhami është djegur në vitin 1923 dhe atëherë disa të krishterë paskan parë mbetje të ikonave nga ajo kishë e përfolur. Për këtë shkak, pushteti serb nuk ka dhënë leje që të rindërtohet Xhamia Fevri. Më vonë, vendi i është dhënë një familjeje të krishterë, ku është ngritur një shtëpi familjare, e cila është nacionalizuar nga shteti pas Luftës së Dytë Botërore dhe në të cilën është vendosur një kohë Biblioteka e qytetit.

Gjatë vitit 2010, kur aty janë zhvilluar disa punë ndërtimore, janë gjetur disa pllaka me shkrim të osmanishtes së vjetër (30 gusht 2010: gazeta “Veçer”, Shkup).

Sipas të dhënave të prezantuara nga inxh. arkitekti tetovar, Skënder Palloshi, Xhamia Fevri është rrënuar nga pushtuesit serb në vitin 1913. Kjo xhami, për të cilën pothuajse nuk ekzistojnë fare të dhëna, ka qenë e ndërtuar në shekullin XVI apo XVII dhe në vendin ku ka qenë e ndërtuar e ku në përbërje të oborrit të saj ka pasur edhe objekte përcjellëse dhe varreza, një kohë ka qenë biblioteka e vjetër e qytetit (objekti ku ndodhet furra e bukës “Gerta” e më gjerë), një pjesë e parkut dhe një pjesë e rrugës me kalldrëm. Gjatë punimeve infrastrukturore, në afërsi të këtij lokacioni dhe gjatë gërmimeve janë zbuluar rrasa të varrezave të xhamisë, si dhe gurë të themeleve dhe mureve të xhamisë, bën të ditur, arkitekti Palloshi.

Në afërsi të kësaj xhamie, në verilindje, nja 300 metra larg, ka qenë edhe Batall - Xhamia apo Hamam - Xhamia (shkaku i një çifte hamami aty afër). Kjo xhami ka qenë pranë oborrit të Shkollës së Muzikës dhe përballë kinemasë “Bratstvo”, që, po ashtu, është rrënuar. 

Burimi i tekstit: Ismail Arsllani

Burimi i fotografisë: Darko Gavrovski