Brenga e Ballkanit

Autor: The Burden of the balkans - Edith Durham - 1905

Ballkani është vendi i "perandorive të një njeriu", perandori të cilat rrojnë sa është gjallë njeriu që kanë në krye. Vetë perandoria e Aleksandrit nuk e pati të gjatë pas vdekjes së tij. Aleksandri vdiq në vitin 323 para erës së re, megjithatë është ende i gjallë mes njerëzve të vet. Nuk mund ta merrni me mend se sa me pasion flasin për të, gjaku i të parëve u vlon ende në deje. Besoj se tashmë nuk vihet më në dyshim fakti që shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të atij populli të egër e primitiv të Ballkanit. Aleksandri i Madh ishte maqedonas, dhe Olimpia, nëna e tij, ishte princeshë e Epirit (Shqipëria e Jugut); pra s'ka dyshim se Aleksandri ishte shqiptar. Deri këtu jemi në rregull; por gjithnjë është thënë se nga i ati kishte prejardhje greke, vërtet të largët, por që grekët e kanë pranuar. Sot si grekët ashtu dhe shqiptarët, dhe bashkë me ta, sigurisht edhe maqedonët, këmbëngulin se e kanë të vetin. Aleksandri vdiq, por vendasit përjetuan një shpërthim tjetër lavdie. Pirron (burrë - në shqip do të thotë trim), mbretin e Epirit, e kanë krejt për vete; askush s'kërkon t'ua marrë.

Në Ballkan historia përsëritet me një rregullsi të çuditshme. Popujt e këtij gadishulli kurrë s'kanë arritur t'i lajnë hesapet me njëri-tjetrin deri në fund, sepse ngaherë janë thyer nga një armik i përbashkët.

Roma përpiu njëherësh masat ndërluftuese të trakëve, ilirëve, grekëve dhe maqedonëve. Ajo e ndau gadishullin në provinca romake, dhe shumë shpejt banorët e sertë të gadishullit, të cilët gjenin kënaqësi në luftë, u bënë lulja e ushtrisë romake. Me kalimin e kohës, arritën dhe majat e lavdisë, sepse nuk kishin vetëm aftësi fizike por edhe mendore. Mjafton të përmendim Dioklecianin dhe Kostandinin e Madh, të dy të famshëm dhe me origjinë ilire. Taciti na jep një tablo të gjallë të "gjenisë së ashpër" të trakëve të kohës së tij, që "jetonin si njerëz të egër të maleve, versuleshin teposhtë me guxim rebelesh" dhe "s'e kishin per gje të mos i bindeshin as mbretit të tyre kur nuk ua donte qejfi."

Ashtu si gjatë kryengritjes së fundit të Maqedonisë, edhe atje mungoi organizimi, dhe populli nuk u ngrit njëherësh më këmbë. Vetëm disa fshatra të shpërndara ju përgjigjën thirrjes duke i sulmuar fqinjët e tyre turq. Por turku. i cili mbështetet në metoda mesjetare dhe orientale, nuk njeh mënyrë tjetër për të vendosur qetësinë në një vend përveç masakrimit të popullsisë. Fshatrat në fjalë u shkretuan. S'mbeti njeri gjallë të tregonte ç'kishte ndodhur, mbetën vetëm kufoma dhe gërmadha të nxirosura. Madje dhe i dërguari turk që vajti për të raportuar për ngjarjen, tha se pasojat e këtij ndëshkimi ishin shumë më të rrezikshme për sundimin turk se çdo kryengritje. Thuhet se i dërguari i ishte drejtuar beut që e kishte bërë këtë punë, duke i thënë ashpër: "Sa të paguan për këtë që bere?"

Para se të kaloja nëpër krahinën që prekej drejtpërdrejt nga Traktati i Shën Stefanit, edhe unë isha i mendimit se prishja e këtij traktati pati qenë e gabuar. Por si vajta dhe pashë me sytë e mi trojet e diskutueshme, e kuptova se sa e padrejtë kishte qenë përkrahja e traktatit. Prishjen e tij e qajnë bullgarët dhe vetëm bullgarët. Traktati i Berlinit mund të ketë shumë të meta, por nuk mban anën e një kombi në kurriz të tjetrit, megjithëse kombet në fjalë nuk janë plotësisht të kënaqura me kufijtë e tyre të rinj. Dhe kjo për arsye se cilido diplomat që nuk ka njohuri të:

1) Traktati i Berlinit - u nënshkrua me 13.7.1878 në mbarim te Kongresit të Berlinit nga përfaqësuesit e 6 Fuqive të Mëdha të Evropes dhe nga Turqia. Ai parashikonte qe disa vise shqiptare t'i jepeshin Malit te Zi dhe Serbisë, prandaj kete traktat e kundërshtoi ashpër Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Kongresi i Berlinit rishikoi Traktatin e Shën Stefanit.

Si gjithë shpikjet e njeriut, edhe kjo nuk qe e përsosur. Një nga pasojat e drejtpërdrejta të saj ishte kryengritja e shqiptarëve. Deri në këtë kohë shqiptarët ishin treguar të gatshëm t'i vinin në ndihmë Turqisë kundër armikut të përbashkët; kurse tani u gjendën përballë faktit kokëfortë që Evropa i kishte futur në një thes me turqit, pra nuk e njihte ekzistencën e tyre si popull. Për më tepër, siç e ka thënë bukur dikush, "jo vetëm mbetën turqit zotër të shtëpisë, por na erdhi në derë edhe Austria, e hodhi një këmbë në prag". Gjatë gjithë kësaj lufte Austria kishte qëndruar asnjanëse, ndaj tani kërkonte shpërblim. Ajo i kishte lëvizur gurët më mirë dhe më qetë se Rusia, duke i ngulur këmbët më thellë në Ballkan. Evropa i dha Austrisë Bosnjën dhe Hercegovinën për t'i "administruar". Kjo ishte një goditje shumë e rëndë për popujt që flisnin gjuhën serbe dhe për aspiratat e tyre. Austrisë iu dhanë edhe toka të padiskutueshme serbe; Ser- bia dhe Mali i Zi u shtrinë në toka shqiptare, kurse viset e Shqipërisë së Jugut iu dhanë Greqisë si shpërblim. Lidhja e porsaformuar e shqiptarëve protestoi menjëherë.

Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Shqipërisë u krijua menjëherë pasi u bënë të njohura kushtet e traktatit të Shën Stefanit. Në fillim ai u përkrah edhe nga turqit, që mendonin se ky komitet do ta ndalte disi vërshimin e valës sllave. Qysh në fillim Komiteti i dërgoi një memorandum Kongresit të Berlinit, ku i kërkonte të njiheshin të drejtat e shqiptarëve. Me të marrë vesh vendimin e Kongresit, shqiptarët rrëmbyen armët për të mbrojtur tokat që do t'u jepeshin sllavëve. Ata nuk pranuan kurrsesi të dorëzonin as Gucinë, as Plavën, dy fortesa të njohura shqiptare, ku përveç shqiptarëve s'besoj të ketë sunduar ndokush tjetër, sepse të dyja ndodhen në thellësi të një vendi të ashpër malor të banuar nga fise po aq të ashpra e të pavarura.

Po ta marrësh hollë, "Maqedonia" është një term shume elastik që kushdo mund ta përdorë sipas qejfit për territorin që dëshiron të aneksojë. Është një termi pasaktë dhe çorientues. Madje unë kam takuar njerëz që kujtojnë se ka një kombësi të quajtur "maqedonase", të cilën ata duan ta ndihmojnë. Ç'është e vërteta, në këtë krahinë pa kufij zyrtare dhe të qëndrueshëm, jetojnë krah njëra-tjetrës gjashtë kombësi të ndryshme, që, siç e kemi parë edhe më lart, duhen marrë secila parasysh.

S'kam ndër mend të jap statistika, as këtu as ndokund tjetër. Si statistikat ashtu dhe hartat etnografike bëhen për qëllime politike. Unë kam studiuar disa prej tyre, por asnjëra nuk i përgjigjet realitetit. Ndaj dhe nuk kam besim në to. Edhe sikur të merrnim një njeri krejt të paanshëm, çka është e pamundur, që t'i njihte mirë dialektet dhe zakonet e kombeve të ndryshme, një pjesë e këtyre popujve patjetër që "do t'i përkiste një kombësie tjetër" para se të dhënat të shihnin dritën e botimit. Shembulli më i mirë i kësaj karakteristike të Ballkanit është një burrë që kam takuar e që më tha se vetë ishte grek, kishte lindur në Bullgari, të atin e kishte serb, kurse fëmijët malazez.

Njerëzit ndryshojnë shumë sipas krahinave, dhe atë që mund të thuash për një krahinë, s'e thua dot për tjetrën. Këtu do të flasim për ato vise ku kam qenë vetë- krahinën e liqeneve te Ohrit dhe të Prespës. Këtu jetojnë grekë, sllavë, shqiptare dhe vllehë. Përveç nëpunësve dhe ushtarëve të vendosur aty, turq ka fare pak. Shqiptarët me duket se te gjithe janë myslimane. Po to kishte të krishterë, këta do të regjistroheshin si grekë. Një pjese e mire e tokës në afersi te Liqenit të Prespës është pronë e shqiptarëve myslimanë, që e quajne "çiflig". Toka punohet nga fshatarët, të cilët thuhet se i ndajnë të ardhurat me pronarët. Kuptohet vetvetiu se kjo nuk eshte e detyrueshme me ligj. Por shume veta me thane se të gjitha taksat paguhen nga gjysma e te

ardhurave të bujqve. Megjithatë, për sa kohë që pronari nuk ndodhet në çiflig, bujqit thonë se nuk ia kalojnë dhe aq keq. Ndryshe nga fshatarët pronarë, bujqit e çifligjeve nuk pësuan gjë gjatë kryengritjes, sepse shtëpitë e tyre ishin pronë e çifligarit dhe nuk u dogjën. Popullsia e një të tretës së katundeve që vizitova, ishte e përzier, myslimane dhe e krishtere. Më thanë se një pjesë e myslimanëve ishin sllavë, por s'pata kohë ta vërtetoja. Të krishterët janë kryesisht sllavë, por ndryshojnë shumë nga fshati në fshat, për shkak të përzierjes diku më shumë e diku mě pak me grekët, bullgarët dhe shqiptarët.

Shumica e këtyre fshatarëve flasin një dialekt sllav që nuk është serbishtja e Beogradit, as serbishtja e Malit të Zi. Dhe siç më thanë vendasit, nuk është as bullgarishtja e Sofjes. Krejt natyrshëm, ai ka fjalë turke, greke dhe shqiptare si edhe disa veçori gramatikore. Veta e tretë njëjës e të tashmes deftore mbaron gjithnjë me "" (p.sh. "kazat" ai thote"), një formë që s'i përket as serbishtes dhe as bullgarishtes, por përdoret vetëm nga serbët e pashkolluar në Serbi. Kurse nyja e shquar që vendoset pas emrit dhe që është karakteristike për bullgarishten, rumanishten dhe shqipen, në përgjithësi nuk përdoret fare. Emri shpesh lakohet si në serbishte, kurse mbiemri nuk ndryshohet për trajtën krahasore si në serbishte, por merr një "më" ose "shumë" përpara si në bullgarishte dhe në shqipe. Shumë fjalë të mirëfillta serbe këtu nuk përdoren me kuptimin që kanë dhe mbaresat e emrave të përveçëm shpesh bien fare (p.sh. "Danil" jo "Danilo").

Për fat të mirë, çdo e keqe e ka dhe një të mirë. Vështirësia e zgjidhjes së problemit të tokave të diskutueshme qëndron në fatin se kombësitë këtu janë tepër të përziera e të ndërthurura me njëra-tjetrën. Madje edhe kryengritja e fundit, megjithëse mbolli ngado shkatërrim, me ç'duket po luan një rol pozitiv në këtë drejtim. Në Ballkan ka vend për të gjithë, madje del e tepron. Aty mund të jetojë një popullsi edhe një herë më e madhe. E keqja është se çdonjëri e do të gjithë për vete. Dhe për sa kohë që popullsia është e përzier, gjithmonë do të ketë luftë për troje. Edhe në qoftë se gadishulli nuk ndahet midis Austrisë dhe Rusisë (Zoti na ruajtë!), tokat e çdo popullsie duhen

"Oh, i njoh mirë unë shqiptarët," u hodh e tha një zonjë, "janë ca njerëz të çuditshëm me sy të kuq e flokë të bardhë"." Por emri i shqiptarit nuk shpjegohet dot kaq shpejt; nga të gjithë popujt e Ballkanit, ata janë më pak të njohurit në Angli.

Thuhet se emri i tyre evropian "Albanian" lidhet me fjalën "Alpe"), Ata e quajnë veten "shqiptare" dhe vendi i tyre "Shqipëria", që do të thotë "bir i shqipes" dhe "vendi i shqipes". Dhe emër më i përshtatshëm nuk mund të gjendej për këta malësorë të ashpër, symprehtë, hundëshkabë e krenarë.

Shqiptarët ndahen në dy tipa kryesorë: zeshkanë dhe flokëverdhe. Me sa kam parë unë, në Jug shumica janë flokëverdhë. Burri tipik shqiptar e ka hunden si të Dantes, me majë të kthyer, ndërsa në rrëzë të hollë e të drejtë; vetullat i ka të trasha, që nisin të drejta e pastaj vijnë e bien poshtë kockës së gropëzës së syrit; nofullat i zgjaten duke zbritur poshtë në vijë të drejtë, derisa bashkohen në mjekër ku krijojnë një vrimë të vogël. Koka nga pas i vjen e rrafshtë sikur ta kishte latuar njeri me sëpatë, ndërsa veshët janë të vendosur më poshtë se zakonisht:

1) Në anglishte përdoret fjala "albino", që do të thotë abrash dhe prandaj trajtën angleze "Albanians" për shqiptarët ajo grua e ngatërron me "albino".

2) Emri Albanian që përdorin anglezët për shqiptarët vjen nga emri i vjetër i nje fisi ilir, Albanët, me të cilin lidhet edhe trajta "Arbërit". Ndërsa emri "shqiptare" nuk lidhet me shqiponjën por me ndjafoljen "shqip", që gjatë mesjetës së vonë nisi të shënonte gjuhën shqipe e me pas edhe popullsinë që e flet këtë gjuhë. Nga kjo rrënjë vjen si emërtimi i shqiptarëve, ashtu dhe i vendit të tyre, Shqipërisë.

Karakteristikë kjo më fort për tipat e çelët me flokë gështenjë e herë-herë edhe gështenjë të çelët me sy gri. Shtatin e ka të lartë (por nuk janë aq të gjatë sa malazezët), të hedhur, me vithe te ngushta dhe të shkathët si panterë. Brunët, që në Pejë dhe në Guci janë tepër të zeshkët, e kanë kokën më të gjatë dhe janë më të shkurtër. Sistemi fisnor dhe mungesa e komunikacionit i ka thelluar dhe më fort këto ndryshime.

Shqipëria ndahet nga lumi Shkumbin në dy pjesë: Gegeria ose Shqipëria e Veriut, dhe Toskëria ose Shqipëria e Jugut. Në jug ka shumë grekë dhe vllehë, me të cilët shqiptarët kanë lidhur dhe krushqi". Në veri të Shkumbinit, me përjashtim të disa tregtarëve të huaj dhe ushtarëve e nëpunësve turq, popullsia është krejt shqiptare. Në vilajetin e diskutueshëm të Kosovës ka ende një numër të madh serbësh, por shumica dërrmuese e popullsise është shqiptare. Në krahinat malore të Gegërisë vazhdon të lulëzojë sistemi fisnor. Kur pyet dikë se si e ka emrin, ai të përgjigjet se është akcili nga Hoti apo Shala. Me sa më thanë, asnjë i huaj s'mund të bëhet anëtar i një fisi, dhe vetëm fisi ka të drejtë të vendosë nëse një anëtar i tij mund të shesë pronën e vet jashtë fisit. Burrat e fisit martohen brenda, por shpesh edhe jashtë fisit. Martesat midis kushërinjve janë të ndaluara.

Thuhet se fisi më i madh është ai i Mirditës, me një popullsi prej 30000 vetash. Edhe Dibra përbën një fis të madh. Pas tij vijnë me radhë fiset e Dukagjinit, të Pultit (këtu futen edhe Shala me Shoshin), Matit, Kastratit, Hotit, Kelmendit dhe Shkrelit, secili me nga 10000 banorë. Ka dhe fise të tjera më të vogla me nga 1000 deri 5000 banorë. (Shifrat janë të përafërta). Fiset përbëhen si nga myslimanë ashtu dhe katolikë. Ata kanë krerët e tyre dhe nuk janë të detyruar të japin ushtarë për ushtrinë osmane.

Ne Toskëri, ndonëse ka bejlerë që mbajnë nga një çetë të armatosur, sistemi fisnor praktikisht është zhdukur. Megjithatë, populli është i ndarë më tresh: toskët, midis Shkumbinit dhe

1) Ne kohën kur është shkruar libri, në nocionin e 2 përfshiheshin në jug vise, të cilat Konferenca e Ambasadorëve në Londër me 1913, pa përfillur realitetin historik, ia kaloi Greqisë. Prandaj ky pohim në libër nuk ka të bëjë me jugun e sotëm të Shqipërisë.

Vjosës, labët, në jug të toskëve, dhe çamét, akoma më në jug. Brenda tyre ka dhe nëndarje të tjera më të vogla.

Edhe gjuha është e ndarë në dy dialekte kryesore, toskërishtja dhe gegërishtja, që kanë dallime në shqiptim. Korçari në jug e kupton po me aq vështirësi shkodranin në veri, sa e kupton dialektin e Jorkshairit një banor që flet dialektin e Londres lindore. Mirditorët thonë se dialekti i tyre është më i pastri nga të gjithë, dhe mund të kenë të drejtë, sepse gjithnjë kanë qenë krejt të shkëputur nga bota. Gjithë emrat e vendeve në Mirditë dhe rreth saj janë në gjuhë të pastër, çka provon se në këto vise s'ka shkelur dot këmba e të huajit.

Shqipja është gjuhë indoevropiane, po aq e veçante sa dhe njerëzit që e flasin. Shumë fjalë të saj ngjasin me greqishten e vjetër apo latinishten, por më shumë shëmbëllejnë me to sesa rrjedhin prej tyre. Shqipja ka dhe kombinime të çuditshme e të veçanta bashketingëlloresh. Ndryshe nga të gjithë gjuhët e tjera evropiane, emri në shqip lakohet në dy trajta, të shquar dhe të pashquar. Mbiemri është i pashquar dhe vendoset pas emrit. Midis emrit dhe mbiemrit vendoset një nyjë që në gramatikë quhet pjesëz, e cila merr gjininë e emrit dhe lakohet më vete. Për shembull: "djalë i mirë" dhe "djali i mirë". Shkalla krahasore e mbiemrave nuk bëhet me prapashtesim, por duke vënë para tyre fjalët "me" dhe "shumë".

Foljet shprehin nuanca shumë të holla kuptimplote, dhe sipas gramatikës së fundit, kanë jo më pak se 11 mënyra dhe 55 kohë. Megjithatë, shumë prej tyre janë trajta të përbëra me foljet ndihmëse "kam" dhe "jam".

S'ka asnjë vepër të shkruar që të flasë për zhvillimin apo ndryshimet që ka pasuar kjo gjuhë. E kaluara e saj është krejt e erret". Balada të gjata historike janë trashëguar brez pas brezi gojë më gojë. Letërsi tjetër përveç kësaj të sotmes, nuk ka. Ende s'është krijuar një sistem i njësuar shkrimi, dhe shqipja rri e

1) Në atë kohë E. Durhami nuk ka pasur mundësinë të njihej me dokumentet e hershme të shkrimit shqip dhe me studimet e posaçme gjuhësore, qe i trajtojne keto probleme. Prandaj ka dhënë një vlerësim jo të drejtë më poshtë edhe për alfabetin e Stambollit.

Kolonitë e mëdha të shqiptarëve ne Kalabri dhe Siqeli (të cilat, meqë ra fjala, i përkasin kryesisht Kishës Uniate), dhe po e hodhi këmbën përtej Adriatikut, s'ka për ta shkulur më andej kurrë me dëshirën e vet. Përkundrazi, do ta mbushë vendin me italianë dhe do të ndalojë gjuhën shqipe. Duket qartë se në Shqipëri zien propaganda kundër Italisë, sepse ca fshatarë më thanë se bashkimi me Italinë ishte me rrezik të madh. "Italia ka në dorë gjënë më të shenjtë në botë, pikturën e Shën Mërisë që engjëjt e morën nga Shkodra dhe e mbartën drejt detit për ta shpëtuar nga Turqit. Megjithatë, italianët janë sjellë me ne si të paudhë dhe kanë përdhosur Papën, ndaj zoti i ka mallkuar. Populli në Itali vuan për bukën e gojës dhe tokat u janë shkretuar. Ne s'duam të na zërë ky mallkim." Për më tepër, Italia ka lidhur krushqi me Malin e Zi dhe shihet si përkrahëse e pansllavizmit.

Sa për Greqinë, kudo që shkova, sapo t'ia zësh emrin në gojë, nuk dëgjon veçse të shara. Shqiptarët duan o pavarësinë, o Austrinë. Shqipëria e Jugut, që ka hequr shumë më keq se Veriu nën thundrën e turkut, e pranon më lehtë Austrinë. Kurse Veriu parapëlqen pavarësinë, megjithëse dhe Austrinë mundet ta pranojë si të keqen më të vogël.

Tigrat e Dibrës, siç i quajnë bashkatdhetarët e vet, janë të gjithë për pavarësinë. Thuhet se Austria po bën çmos t'i zbutë me flori. Për mendimin tim, i gjithë vendi dëshiron të shkëputet nga qeveria e Sulltanit dhe s'ka për të qenë e largët dita kur ta kërkojë këtë me forcë. Për çudi, armiku shekullor i Shqipërisë, Mali i Zi, e mbështet kërkesën e shqiptarëve për pavarësi. Në Ballkan politika ka shumë ngatërresa të brendshme. Pushtimi i Shqipërisë nga Austria do të ishte një goditje vdekjeprurëse për aspiratat kombëtare të Serbisë.

Kjo është me pak fjalë gjendja aktuale politike. Po të nisnim e të flisnim për dredhitë, ngatërresat dhe marifetet e pafund të Fuqive të huaja për të arritur qëllimet e tyre nga njëra anë, dhe të shqiptarëve për t'ua hedhur të gjithave bashkë, nga ana tjetër, do të na duhej një libër i tërë. Një pjesë e mirë e bijve të shqipes kanë bërë si kanë dashur vete, dhe kështu kanë ndër mend të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Brenga e Ballkanit - Perkthyer nga origjinali Vjollca Shtylla - Tetove, 1997 Fq. 8,34,35,38,39,43,44,45,49