Jeta dhe vepra e Sersem Ali Dede

Autor: Prof.Dr. Ali Vishko "Teqeja Harabati e Tetovës dhe roli i saj Historik e Kulturor në të kaluarën"

Pas vdekjes së Sulltan Mehmetit II Fatih, pas një kohe - trazirash të brendshme, në vitin 1520 në krye të fronit në Perandorinë Osmane erdhi Sulltan Sylejman Kanuni ose Ligjdhënësi, ndryshe titulluar si Sulltan Sylejman Madhështori. Nën sundimin e Sulltan Sylejman Kanunit, Perandoria Osmane përjetoi një përparim të dukshëm në shumë sfera të jetës dhe kjo kohë e përbën shkallën kulminante të ngritjes së kësaj perandorie. Në këtë kohë në shekullin XVI jeton, vepron e krijon edhe kleriku mirë i njohur i sektit islam bektashian — Sersem AIi Dede (Baba), tetovar siç quhet nga disa autorë, i cili ishte zyrtar i lartë, respektivisht vezir, teolog i shquar, filozof dhe poet mirë i njohur i kohës. Data e lindjes së këtij veprimtari të shquar, zyrtarit të lartë e klerikut të devotshërn e mire njohur, i cili në jetën e vet është marrë dhe me poezi dhe pas vetes ka lënë opusin poetik me vargje të bukura, të shquara nëpër fletoret bektashiane të kohës, nuk dihet. Mund të mendohet se ky ka lindur nga çereku i fundit të shekullit XV dhe jetoi në periudhën e lulëzimit të Perandorisë Osmane: ajo ishte koha kur në këtë perandori jetuan, vepruan dhe krijuan një plejadë e mirënjohur veprimtarësh të shkencës, të artit të ndërtimit, letërsisë, jurisprudencës, strategjisë ushtarake e të tjera, të cilët lënë emër jo vetëm në historinë e popujve të hapësirës së kësaj perandorie, por edhe më gjerë, në suazat e kulturës mbarënjerëzore. Hulumtime e studime serioze rreth jetës dhe veprimtarisë krijuese të këtij studiuesi të shquar deri më sot nuk janë bërë. me përjashtim të ndonjë shënimi ose fjale të rastit në ndonjë vend të rrallë, që janë përjashtime si në historinë osmane, ashtu dhe në atë botërore. Ndonjë publikim ose punim për Sersem Ali Deden deri më sot, pra, nuk kemi. Fati i jetës së Sersem Ali Dedes e kishte sjellë atë që të ketë lidhje të ngushta familjare me oborrin perandorak, pasi ishte kunati i Sulltan Sylejman Kanunit, i cili sulltan ishte martuar me motrën e këtij kleriku Mahidevranen. Meqenëse kishte lidhje të ngushta me Portën e oborrin perandorak dhe ishte pajisur me virtyte të larta morale, intelektuale e me dituri solide. Sersem Ali Dede pat fituar nga rasti që të gëzonte dhe poste të larta shtetërore, duke e kryer detyrën e vezirit dhe të mëkëmbësit të Sulltanit. Më vonë, pasi kusarët tatarë patën rrëmbyer një vajzë ruse me emrin Rozana, respektivisht Rokselana, përmendet në një vend tjetër, atë femër si robneshë e çuar që ta shesin në sheshin e njohur të Stambollit “At Mefdani“ (Hipodromi i qytetit të Stambollit). Me këtë shitje ishte njoftuar dhe oborri perandorak dhe me pëlqimin e nënës së Sulltan Sylejman Kanunit — Hafsa Sulltanes, robëresha e përmendur — Rokselana blihet prej oborrit dhe vendoset në haremin e Sulltanit. Ardhja e Rokselanës në oborrin e Sulltanit, gruas së deriatëhershme të Sulltan Sylejman Kanunit — Mahidevranes i solli fatkeqësi të mëdha dhe ditë të zeza në jetë. I nxitur nga intrigat e Rokselanës, Sulltani filloi të keqtrajtonte gruan e deriatëhershme —Mahidevranen, duke e lidhur jetën bashkëshortore me robëreshën e blerë. Në këtë qëndrim jonjerëzor të Sulltanit ndaj gruas së tij — Mahidrvranes, kishte ndikim dhe nëna e këtij sulltani — Hafsa Sulltane. Në një gjendje të këtillë maltretimi dhe moskujdesie nga ana e Sulltanit, në vitin 1520 Sulltan Sylejman Kanunit i vdesin një vajzë e vogël dhe djali 9-vjeçar Muhameti, që e kishte me gruan e parë — Mahidevranen. Pas kësaj, Sulltani Mahidevranen bashkë me të vetmin djalë të mbetur prej kësaj — Mustafën, e largoi prej oborrit perandorak dhe i dërgoi që të jetojnë në një vend tjetër, në Manisë, ku Sulltani kishte vendlindjen. Në vitin 1534 të birin e vetëm që kishte — princin Mustafa, Sulltani e kishte emëruar për mëkëmbës e administrues të provincës të Saruhanit, me qendër Manisën, duke e dhënë këtë provincë për qeverisje princore, respektivisht si principatë. Me atë rast në pallatin e princit Mustafa, pranë oborrit të tij ishte caktuar që të jetonte me të edhe e ëma e tij — Mahidevrane. Por, intrigat e oborrit, sidomos të gruas së dytë të Sulltanit — Rokselanës, kundër princit Mustafa dhe nënës së tij — Mahidevranes vazhduan dhe më tutje. Si pasojë e këtyre çpifjeve në vitin 1553 me dijen e Sulltanit, në Aktepe, afër qytetit Ergele, në çadrën e vet ushtarake ishte vrarë princi Mustafa dhe ndërkohë edhe i biri i tij i vogël 7-vjeçar — Mehmeti ishte likuiduar. Këto ngjarje tragjike i ka përcjellë poeti i madh i kohës, me origiinë shqiptare — Jahja Bej Dukagjini, i cili humbjen dhe zhdukjen mizore të princit Mustafa e vajtoi me një elegji të bukur, shkruar dhe kushtuar posaçërisht kësaj tragjedie. Sjelljet e këtilla të oborrit perandorak dhe nënçmimi motrës së Sersem Ali Dedes — Mahidevranes nën ndikimin e gruas së dytë të Sulltanit — Rokselanës shkaktuan një lloj revolti te Sersem Ali Dede dhe çuan deri në ftohjen e marrëdhënieve në mes tij dhe oborrit perandorak. Kështu, pas këtyre ngjarjeve tragjike, mori fund dhe bashkëpunimi i Sersem Ali Dedes me oborrin perandorak dhe shërbimi i tij si vezir e mëkëmbës i Sulltanit, pas së cilës ky u tërhoq nga shërbimet e larta shtetërore dhe iu përkushtua vetëm predikimeve të kultit islamik. Me qëllim që të ishte në shërbim të kultit islamik në mënyrë sa më të devotshme, Sersemi më parë shkoi e u dorëzua dervish në kryeqendrën bektashiane në atë kohë — në Teqen e Haxhi Bektashit, në Anadoll. Në atë kohë në atë teqe si udhërrëfyes ose si kryegjysh shërbente kleriku i lartë, i shquar e mirë i njohur — Ballëm Sulltani. Pas një kohe shërbimi në teqen e përmendur, në selinë e Kryegjyshatës Bektashiane, Sersem Aliu, i quajtur më parë Server Ali, lartësohet nga udhërrëfyesi i tij në postin At ose Baba. Më vonë, sipas urdhrit të udhërrëfyesit të tij- Ballëm Sulltanit, Sersem Ali Baba shkoi që të shërbejë në teqen e Gjyshatës Bektashiane të Dimotikës, e cila në atë kohë ishte njëra nga selitë mirë të njohura e dëgjuara bektashiane në botë. Teqeja Bektashiane e Dimotikës në atë kohë ishte si kryeseli për përhapjen e kulturës islame, veçanërisht e besimit islam bektashian në trevat lindore e qendrore të Siujdhesës Ballkanike.


Puna e Sersem Ali Dedes në themelimin e Teqes Harabati në Tetovë

Nga gjysma e parë e shekullit XVI Sersem Ali Dedes i paraqitet misioni i përhapjes së besimit islam bektashian dhe në vise të tjera të Siujdhesës Ballkanike dhe, për këtë mision ai zgjedh trevën e Pollogut, për shkak të shumë përparësive që kishte ky vend, me qëllim që prej këtu këtë doktrinë fetare pastaj ta përhapte edhe në viset perëndimore të siujdhesës në fjalë, në meset shqiptare, boshnjake e të tjera. Për këtë, Sersem Ali Baba, më vonë Sersem Ali Dede, për themelimin e faltores ose selisë së vet për përhapjen e doktrinës bektashiane në këto anë të Siujdhesës Ballkanike e zgjodhi Tetovën, me ç'rast në periferi të këtij qyteti në vitin 1538 filloi ndërtimin e Teqes Harabati, seli më e njohur e shenjtë e besimit islam bektashian për Ballkanin Perëndimor. I nisur nga qëllimet e misionit të vet, Sersem Ali Dede ngritjen e selisë së vet të shenjtë që filloi në vitin 1538 në periferi të Tetovës e vazhdoi deri në vitin 1548; kjo seli më vonë e mori emrin Teqeja Harabati, qysh quhet edhe sot. Për ngritjen e kësaj godine të shenjtë dhe për disa rregullime që u bënë më vonë, Sersem Ali Dede shpenzoi shumë të holla; për ndërtimin e kompletimin e teqes në fjalë, e kësaj godine të shenjtë. Sersemi ka shpenzuar në atë kohë tërë pasurinë që kishte, me qëllim qe të linte pas vete një përshpirtje — përmendore, e cila do të dëshmonte për jetën, për veprën e për kohën e tij. Kjo godinë, ky tempull ose faltore, siç quhet këtu dhe

përpara, me kalimin e kohës, do të emërohet me emrin teqeja Harabati, që do të thotë Godinë shenjtërie ose Tempull. Krahas ngritjes së kësaj teqeje, Sersem Ali Dede atëherë nga teqet e tjera — nga Dimotika, Stambolli e të tjera në Teqen Harabati solli 15 dervishë, për kryerjen e shërbimeve dhe predikimeve përkatëse fetare e të tjera të nevojshme, duke i përgatitur këta dhe për postin e baba-it, që pastaj këta të shërbejnë e predikojnë dhe nëpër teqe të tjera. Ndër klerikët të tillë si më të njohur të kësaj teqeje, si dhe ata që nga kjo qendër u dërguan të themelojnë faltore bektashiane në këto anë e të predikojnë në to, janë për t'u përmendur, përveç të tjerëve, Kazëll Baba, Balli Baba, Kojun Baba, Javer Baba ose Jarar Baba, Sadredin Baba e shumë të tjerë. Kazëll Baba pas fitimit të postit baba, ishte dërguar që të shërbente, të predikonte e të drejtonte njërën nga teqet më të vjetra bektashiane në Siujdhesën Ballkanike — Teqen e Brodit, në rrethinën e Kërçovës, e quajtur ndryshe dhe Teqe e Hajdar Babës, si dhe Teqe e Hëdër Babës. Balli Baba, pasi fitoi postin baba, u dërgua me shërbim dhe për predikime në Zavijen ose Teqen e Baba Sadredinit, teqe bektashiane në Hisar, nga Kalaja e Tetovës. Kjo teqe gjindej në Kalanë e Tetovës, në vendin e quajtur Vendi i shehitëve, ku patën shërbyer e predikuar dhe klerikë të tjerë bektshianë, siç ishin Hasan Baba, Xhafer Baba e të tjerë. Kojun Baba me fitimin e postit baba, u dërgua me detyrë për themelimin e një teqeje bektashiane në fshatin Shipkovicë të Tetovës, në vendin që edhe sot quhet Vendi i Teqes; ai një kohë në të kaluarën aty dhe shërbeu e predikoi besimin islam bektashian: edhe pas tij në këtë teqe shërbyen dhe klerikë të tjerë bektashianë dhe kjo teqe ekzistoi deri vonë, deri nga mesi i shekullit XX. Për themelimin e kësaj teqeje është ruajtur te popullsia e këtij vendi dhe një legjendë gojore. Javer Baba ose Jarar Baba, pasi fitoi postin baba, dërgohet në fshatin Poroj të Tetovës, që në atë vend të themelojë një teqe bektashiane dhe të mbajë predikime në atë teqe. Në Tetovë në atë kohë ekzistonin dhe dy zavije ose teqe të tjera të tilla, siç ishin Zavija e Mehmet Beut — nipit të Is'hak Beut, administruesit të hershëm të sanxhakut të Shkupit dhe një zavije tjetër e Mustafa Ruhi Hanhani efendiut (32). Përveç teqeve bektashiane të përmendura, këtu ka pasur edhe të tjera teqe të tilla në Tetovë e rrethinë, por ato me kalimin e kohës, në kushte jo të volitshme..janë rrënuar dhe më nuk janë rimëkëmbur. Në postin e predikuesit dhe të udhërrëfyesit në Teqen Harabati Sersem Ali Dede ndenji deri në vitin 1550. Në atë kohë, sipas një shënimi, në kryeqendrën bektashiane, në Haxhi Bektash kishte ndërruar jetë kryegjyshi — Shah Kalendar, me ç'rast posti i kryegjyshit kishte mbetur pa u zëvendësuar plot 15 vjet. Për këtë, me qëllim të plotësimit të një nevoje me rëndësi, Sersem Ali Dede në vitin 1551 shkoi në Haxh Bektash, në postin e kryegjyshit. Aty në atë teqe ky mbeti deri në fund të jetës së tij, me qëllim që si njëri nga më të ngriturit e kohës në lëmenjtë të teologjisë, filozofisë. letërsisë e të tjera të kulturës islame, ta vazhdojë veprën e udhërrëfyesit të vet — Ballëm Sulltanit, njëri nga më të ngriturit nga radhët e klerikëve të lartë bektashianë dhe më i njohuri pas Haxhi Bektash Veliut, për traditën, përpunimin e interpretimin e normave, rregullave dhe dispozitave të doktrinës bektashiane. Sersem Ali Dede aty, në Haxhi Bektash, ndërroi jetë në vitin 1569. Pas largimit të Sersem Ali Dedes prej Teqes Harabati, periudha që përfshin gjysmën e dytë të shekullit XVI dhe shekullin XVII, lidhur me këtë teqe paraqet një kohë të panjohur, për studiuesit e së cilës mungojnë burimet relevante materiale. Cilët ishin klerikët që kanë shërbyer e predikuar në këtë teqe, veprimtaria e tyre krijuese e të tjera, në këtë moment nuk dihet.